Konventa e peste e Industrise se drurit ne Kosove

Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Gjermani ishte i ftuar në Konventën e pestë të Industrisë së Drurit që u mbajt në Prishtinë të enjten më 8 dhjetor, ku kishin ekspozuar produktet e tyre dhjetëra prodhues të drurit nga Kosova.
Pjesëmarrës ishin edhe përkrahësit e shoqatës dhe donatorët, drejtori i Zyrës për Zhvillim Ekonomik të USAID-it në Kosovë, zonja Joshua Mike, udhëheqësja e Projekteve nga GIZ zonja Elizabeth Hobl, ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, zonja Rozeta Hajdari.
Të pranishmit i përshëndeti kryetar i Shoqatës së Përpunuesve të Drurit të Kosovës, zotëri Sheqer Ukaj dhe drejtoresha ekzekutive zonja Arieta Vula Pozhegu.
Në këtë Konventë, Unionin e Bizneseve (UB) e ka përfaqësuar drejtori ekzekutiv zotëri Fadil Abdullahu i shoqëruar nga zyrtarja ekzekutive e zyrës në Prishtinë, zonja Yllresa Shala.
Po ashtu, zotëri Abdullahu ishte pjesë e panelit ku u diskutua për industrinë e drurit, potencialin dhe eksportin.
Drejtori Abdullahu pasqyroi objektivat e Unionit të Biznesit si dhe mundësinë që përmes UB kompanitë të mund të krijojnë qasje në plasojnë prodhimet dhe shërbimet e tyre në Gjermani.
Gjithashtu, në panel u diskutua edhe për standardet dhe prodhimin e Kosovës, dedikuar për eksport që Kompanitë në fjalë t’i përmbusheshin të gjitha kriteret e Bashkimit Evropian.
Kjo formë e organizimit u mendua që gjatë vitit të ardhshëm, më konkretisht gjatë muajve maj-qershor, të organizohet një formë e tillë e prezantimit të kompanive dhe produkteve të tyre edhe në Gjermani, por duke përfshirë edhe anëtarë të UB, që veprojnë në Gjermani.
Për këtë çështje, kishte dakordim të plotë për mbështetjen edhe të USAID, GIZ, Institucioneve relevante dhe shoqatës së përpunuesve të drurit nga Kosova në një organizim të përbashkët në Gjermani, duke e zgjeruar pjesëmarrjen edhe me sektorë tjerë.
Gjatë kësaj Konvente, përfaqësuesit e UB u takuam edhe me shumë afaristë nga Kosova të cilët e kanë për synim tregun e Gjermanisë.
Madje, disa nga ta tashmë përmes anëtarëve të Unionit të Biznesit janë aktiv në tregun e Gjermanisë.
Interesimi për tu bërë pjesë e Unionit të Bizneseve përmes zyrës së sapo themeluar në Kosovë ishte i theksuar nga shumë të pranishëm.
Krijimi i urave të kontaktit mes anëtarëve te UB në Gjermani me ato në vendlindje është njëra nga objektivat e rëndësishme në strategjinë e UB.
Erfolg verbindet!
Suksesi krijon lidhjet!
UNIONI i Bizneseve shqiptare-gjermane në Gjermani.
09.12.2022, Prishtinë